Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat për gjendjen e rrugëve që shpijnë drejt pikave të kalimit kufitar, ku në disa pjesë të vendit qarkullimi paraqitet më i vështirë për shkak të kushteve atmosferike.
Sipas të dhënave të përditësuara më 29 nëntor, rrugët në drejtim të pikave kufitare janë kryesisht të kalueshme, por në dy magjistrale rekomandohet kujdes i shtuar për shoferët, shkruan Insajderi.
Vështirësi në qarkullim raportohet në magjistralen Prishtinë–Mutivodë dhe në atë Podujevë–Merdarë. Në të dyja këto rrugë, kalueshmëria është vlerësuar si e mundshme, por me vështirësi.
Ndërkohë, në magjistralet e tjera të përfshira në raport, qarkullimi paraqitet i kalueshëm. Sipas Qendrës, nuk raportohet për prani të akullit, mjegullës apo rrëshqitjeve të dheut në rrugët e listuara. /Insajderi.org/
