Nga Albatros Rexhaj
Maximilian Krah: Ballkani Perëndimor do të jetë zemra e arkitekturës së re evropiane. Raportuesi i AfD-së për Shqipërinë i thotë Albatros Rexhajt se fundi i Bashkimit Evropian të sotëm është “çështje matematike” dhe vjen brenda pesë deri në dhjetë vjetësh, dhe se boshti i ri i Evropës do të shkojë nga Berlini në Ankara, duke kaluar përmes këtij rajoni. Bosnjë-Hercegovina “nuk do të ekzistojë përgjithmonë”. Shqipëria ka vetëm për të fituar dhe duhet të ketë kujdes se çfarë i kërkon Brukseli. Ai është pro Trumpit, nuk sheh kërcënim rus dhe thotë se e djathta evropiane ka nevojë për rikalibrim në çështjen e remigrimit.
Shqipëria po negocion hyrjen në Bashkimin Evropian. Njeriu që ndjek Shqipërinë për partinë më të madhe opozitare të Gjermanisë nuk pret që ai Bashkim të ekzistojë në formën e sotme pas dhjetë vjetësh.
Maximilian Krah është deputet i Alternative für Deutschland në Bundestag, i zgjedhur drejtpërdrejt në Saksoni në shkurt 2025. Ka qenë deputet i Parlamentit Evropian, ku kryesoi listën e partisë në zgjedhjet e vitit 2024. Sot është anëtar i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe raportues i AfD-së për Shqipërinë. Sipas tij, partia është rreth 30 për qind në sondazhe.
Në Ballkanin Perëndimor AfD-ja njihet kryesisht nga ato që thonë kundërshtarët e saj. Krah foli me Albatros Rexhajn, komentator kryesor politik i Tirana Examiner, në Berlin më 28 nëntor. U pyet për të ardhmen e Bashkimit, për Rusinë, migracionin, sekularizmin dhe për vendin që do të kishte Ballkani Perëndimor në Evropën që ai parashikon.
Rexhaj: Zoti Krah, ju falënderoj që pranuat këtë intervistë. Pyetja e parë është e thjeshtë. A do të ketë Bashkim Evropian pas dhjetë vjetësh?
Krah: Do të ketë një lloj bashkësie evropiane, por jo BE-në që shihni sot. Dhe kjo nuk është çështje vullneti apo dëshire politike. Për mua është çështje matematike. Po t’i shihni buxhetet e Spanjës dhe të Francës, e kuptoni se po shkojmë drejt një krize të thellë. Këto vende sot marrin borxh publik për të paguar pensionet, për të paguar të moshuarit. Kjo nuk mund të zgjasë. Dhe kur nuk ke më si ta financosh vendin në mënyrë të qëndrueshme, ndryshimi bëhet i pashmangshëm. Ndryshim do të ketë, por nuk mund t’ju them me hollësi se çfarë ndryshimi. Bashkimi Evropian, dhe Evropa, pas dhjetë vjetësh do të jenë politikisht diçka tjetër nga ç’janë sot.
Rexhaj: Cili është, pra, vizioni i partisë suaj për këtë Evropë të re?
Krah: Të jem i sinqertë, dimë se nuk do të jetë kjo e sotmja. Edhe vetëm ta thuash këtë në Gjermani do shumë guxim, sepse elitat këtu janë të përqendruara tërësisht te BE-ja. Na thonë se po ndryshoi BE-ja, po u shemb BE-ja, nuk do të ketë më paqe në Evropë. Unë them jo, kjo është një mundësi për një Evropë të re. Por idenë se si do të duket ajo Evropë ende po e kërkojmë. Vitin e ardhshëm do të botoj një libër ku do të parashtroj një ide të tillë. Partia ime ka dy orientime. Nga njëra anë thotë se na duhet integrim ekonomik, tregti e lirë, një lloj tregu i përbashkët dhe një lloj politike e përbashkët tregtare. Por kur vjen puna te organizimi politik, diskutimet tona nuk kanë arritur ende atje.
Rexhaj: Në anët tona e kemi të vështirë të kuptojmë si mbijeton një organizatë si Bashkimi Evropian kur, në vendimmarrje, vota e Gjermanisë peshon njësoj si vota e, të themi, Sllovakisë, Bullgarisë apo Qipros.
Krah: Sepse ekziston një hierarki joformale e fuqisë. Keni të drejtë: formalisht çdo shtet ka të njëjtën të drejtë vote. Por joformalisht, dhe e patë me Hungarinë, kur ata nisën të bëjnë politikën e tyre, u ndëshkuan me sanksione. Prandaj vendet më të vogla të Bashkimit Evropian e dinë se nuk mund ta drejtojnë ato të gjithë Bashkimin. Ka një strukturë joformale, një renditje joformale të fuqisë, ku Gjermania ka pa dyshim më shumë peshë se Sllovakia apo Hungaria. Dhe herë pas here vendet më të vogla zemërohen shumë për këtë. Kjo ndodhi me Viktor Orbánin.
Por e vërteta është se ka një strukturë formale të fuqisë dhe një strukturë joformale. Bashkimi Evropian nuk do të shembet për shkak të dallimit mes të dyjave. Do të shembet sepse i mungojnë paratë dhe i mungon besimi. Premtimi i Bashkimit Evropian është paqe dhe begati për çdo vend. Shihni sot përreth Evropës: kemi një luftë mu përpara nesh, në Ukrainë, të cilën nuk po e mbyllim, por po e vazhdojmë. Pra paqe nuk sigurojmë. As begati nuk sigurojmë, po të krahasoni rritjen ekonomike, të ardhurat dhe pasurinë në BE me, të themi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo edhe me Dubain, Kinën, Singaporin e të tjerë. Ne jemi në krizë, ndërsa ata po përfitojnë nga revolucioni teknologjik, nga inteligjenca artificiale. Pra Bashkimi Evropian nuk i garanton më as paqen, as begatinë. Përveç këtyre, ka edhe një problem fiskal. Evropa duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë. Ajo për të cilën duhet të mendojmë është si të dalin vendet tona, Shqipëria dhe Gjermania, fituese nga ky ndryshim dhe jo humbëse.
Rexhaj: Vendet e vogla si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë, si ta them, të trembura. Dhe AfD-ja përdoret si një lloj gogoli për t’i mbajtur në vijë, të themi. Cili është, sipas jush, keqkuptimi themelor për atë që përfaqëson vërtet AfD-ja?
Krah: Ajo që përfaqësojmë vërtet është kjo: ne nisëm si e vetmja parti në Gjermani që i tha publikut se ato që na thotë establishmenti nuk janë të vërteta.
Tani le të vijmë në Ballkan. Kur ke vende kaq të vockla, merrni Bosnjë-Hercegovinën, ke një vend të vockël ku as njerëzit e vet nuk duan të jetojnë. Kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Ky është një shtet për një kohë të caktuar, jo përgjithmonë. Por elitat e këtij vendi, natyrisht, duan ta mbajnë pushtetin. Prandaj nuk na duan dhe na paraqesin si gogol. Ne nuk duam ta shkatërrojmë Bosnjë-Hercegovinën, por u themi: ky shtet nuk do të ekzistojë përgjithmonë. Po të jeni të zgjuar, mendoni që sot për alternativat. Kaq mund t’u them. Nëse besojnë se multilateralizmi evropian, ky kuadër ligjor evropian që u lejon të mbijetojnë edhe vendeve tejet të vockla, do të zgjasë përgjithmonë, e kanë gabim. Do të vijnë kohë të tjera dhe duhet të përgatiten për to që tani. Ndryshimin nuk e bëjmë ne dhe nuk duam t’i marrim askujt atë që e ka për zemër. Themi vetëm: jini të zgjuar, përgatituni për atë që vjen.
Dhe le të vijmë te Shqipëria. Mendoj se Shqipëria është një histori suksesi. Në fund të komunizmit, që ishte një version krejt i veçantë i komunizmit, Shqipëria ishte vendi më i varfër i Evropës. Sot, edhe këtu në Gjermani, shoh shumë shqiptarë të suksesshëm. Edhe në planin diplomatik: jeni në Bordin e Paqes të Donald Trumpit. Pra Shqipëria është pa dyshim fituese e 20 deri në 30 vjetëve të fundit. Dhe me Kosovën tani ka edhe një vend tjetër shqiptar.
Rexhaj: Një vend me shumicë shqiptare.
Krah: Po, një vend me shumicë shqiptare, por që është shqiptar nga gjuha, nga shumica, nga etnia e kështu me radhë. Dhe Shqipëria është një vend shumë i besueshëm në Evropë, me një politikë shumë të besueshme. Prandaj për mua, si politikan i AfD-së, nëse do të kemi një Evropë tjetër dhe një Ballkan që ndryshon, Shqipëria ka vetëm për të fituar, jo për të humbur. Mund të bëhet më e fortë dhe mund të jetë fener stabiliteti dhe shprese në Ballkanin jugor. Unë vetë e ndjek me kënaqësi zhvillimin e Shqipërisë dhe do të doja t’i forcoja marrëdhëniet tona.
Rexhaj: Por kolegët tuaj në politikën gjermane na thonë se AfD-ja është proruse. Çfarë lloj “pro” jeni ju?
Krah: Para së gjithash, si çdo parti e djathtë, ne jemi progjermanë. Dhe në politikën e jashtme, sigurisht që jemi pro Trumpit. Dhe e shihni vetë që Trumpi do t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Rexhaj: Pra edhe ju doni që lufta të marrë fund.
Krah: Po, por në Gjermani, kushdo që do t’i japë fund luftës në Ukrainë merr etiketën prorus. Sepse qëndrimi zyrtar gjerman është ta zgjasë luftën, të japë para dhe t’i lërë ukrainasit ta vazhdojnë. Po deshe ta ndalësh luftën, të quajnë prorus. Pra kur gjermanët ju thonë se AfD-ja është proruse, kjo do të thotë vetëm se ne jemi pro Kushnerit, pro Witkoffit, pro Trumpit.
Rexhaj: Por zyrtarë të lartë të qeverisë gjermane, në nivele të ndryshme, thonë edhe publikisht se deri më 2030 mund të ketë një sulm rus. A është kjo realiste?
Krah: Jo. Shikoni, rusët nuk arritën të vënë nën kontroll as Ukrainën lindore. Edhe Rusia është një vend me shumë probleme. Rusia pa asnjë dyshim nuk po planifikon të sulmojë NATO-n. Rusia do vetëm të pengojë që Ukraina të bëhet vend anëtar i NATO-s. Pse? Sepse rusët janë të zgjuar dhe mësojnë nga historia. Po t’i kishin nisur Hitleri apo Napoleoni luftërat kundër Rusisë nga vija ku sot është kufiri ruso-ukrainas, do të kishin fituar që të dy dhe sot nuk do të kishte më Rusi. Prandaj Rusia nuk mund të lejojë që Ukraina të hyjë plotësisht në NATO, sepse NATO-ja, historikisht, mund të jetë armiqësore ndaj Rusisë. Pra Rusia detyrohet të luftojë që Ukraina të mbetet neutrale, thjesht për të mbrojtur ekzistencën e vet. Ky është versioni krejt i thjeshtë dhe amerikanët e pranojnë. Por evropianët, për ndonjë arsye të çmendur, duan të luftojnë kundër Rusisë deri te ukrainasi i fundit. Dhe kush nuk është në atë kamp, e partia ime nuk është në atë kamp, merr etiketën prorus.
Pra Rusia nuk është kërcënim. Rusia sot është një vend me shumë probleme, ekonomike dhe demografike. Nuk ka qasje në inteligjencën artificiale. Ndodhet mes Kinës nga njëra anë dhe Evropës e Perëndimit nga ana tjetër. Do t’i rinisë marrëdhëniet me Perëndimin, por tani për tani është e detyruar të rrijë në kampin kinez. Mendoj se ka ardhur koha t’i zgjasim dorën Rusisë dhe ta rinisim partneritetin me të.
Rexhaj: Një nga problemet që shohim në Evropë, dhe që përsëritet edhe në anët tona, është deindustrializimi i vendeve tona, i shoqërive tona. I dyti është se brezi i ri nuk ka vullnet për të punuar. Si zgjidhet kjo?
Krah: Deindustrializimi është pasojë e çmimeve të larta të energjisë. Çmimet e larta të energjisë janë pasojë e vudusë klimatike. Po të jesh me Bashkimin Evropian, pranon edhe Marrëveshjen e Gjelbër. Marrëveshja e Gjelbër beson se duhet të varfërohesh sot për të shpëtuar klimën e botës pas 50 vjetësh, gjë që është krejtësisht irracionale. Donald Trumpi ka plotësisht të drejtë. Nuk mund të kesh industri kur ndjek narrativën e klimës. Por elitat evropiane dhe Brukseli e ndjekin atë narrativë deri në fund. Gjermania ka çmimet më të larta të energjisë nga të gjitha vendet e G20-s. Me çmimet më të larta të energjisë nuk mund të jesh konkurrues në prodhimin e kimikateve, të makinave, të çelikut e kështu me radhë. Pra deindustrializimi është pasojë e drejtpërdrejtë e çmimeve të larta të energjisë dhe e faktit që nuk investuam sa duhet në përparimin teknik. Po të shkoni në Kinë, do të gjeni fabrika ku nuk punon më asnjë njeri. Gjithçka e bëjnë robotët. Robotët i drejton inteligjenca artificiale. Ne nuk kemi robotë. Nuk kemi inteligjencë artificiale. Nuk kemi energji. Pra një politikë e gabuar, e majtë, e përqendruar te klima, po e shkatërron industrinë. Kjo është gjëja e parë që duhet ndryshuar.
Nëse Shqipëria hyn në BE, kini kujdes se çfarë ju kërkojnë. Shihni Bullgarinë. BE-ja u kërkoi ta mbyllnin centralin bërthamor dhe kjo ua shtrenjtoi energjinë bullgarëve e solli varfëri në Bullgari. Mos i lini t’ia bëjnë të njëjtën gjë Shqipërisë.
Sa për rininë: ndonjëherë duhet presion. Njerëzit punojnë kur e ndiejnë nevojën. Kemi shumë të rinj që besojnë se do të pasurohen duke u bërë influencerë në Instagram. Mesazhi im është shumë i qartë. Influencerë në Instagram do të ketë edhe në të ardhmen, por shumë pak. Dhe jo kushdo ka lindur për t’u bërë influencer, aq më tepër kur do të shihni edhe influencerë të krijuar nga inteligjenca artificiale. Prandaj më mirë kërko një punë të denjë. Dhe po deshe të pasurohesh, puno. Dallimin mes varfërisë, ose të themi klasës së mesme të ulët, dhe një jete të mirë, me pushime të bukura herë pas here, me shtëpinë tënde, me pronën tënde, e bën puna. Puno çfarë të duash. Por nëse nuk je gati, sa je i ri, të punosh gjashtë ditë në javë, të rrezikosh, të investosh në shkollimin tënd, do të mbetesh i varfër. E ke vetë në dorë.
Rexhaj: Si vëzhgues nga jashtë, që udhëton nëpër Evropë, kam përshtypjen, dhe po flas hapur, se Evropa është disi e humbur, në kuptimin që politikat tuaja të imigracionit ishin të gabuara. Në rrugët e Evropës gjen dy lloje imigrantësh. Gjen ata që erdhën në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000, që vinin, të themi, nga një shtrat kulturor i ngjashëm me atë evropian dhe u integruan me sukses në shoqërinë gjermane. Dhe pastaj ke një valë që nisi rreth viteve 2013, 2014, 2015. Këta janë njerëz që, siç e shohim, ose nuk arrijnë të integrohen, ose refuzojnë të integrohen. Çfarë të ardhmeje ka Evropa?
Krah: Të ardhme nuk ka vetëm po u dorëzuam. Dhe unë nuk do të dorëzohem. Prandaj më duhet të gjej një rrugë. Para së gjithash, keni të drejtë: politika e imigracionit që ndoqi Merkeli, sidomos Merkeli, nga viti 2015 e tutje ishte katastrofë. Por ja zgjidhja. Gjëja e parë, siç bëtë ju tani, dhe ju jam shumë mirënjohës sepse pikërisht këtë u predikoj njerëzve të mi, është të dallosh imigrantët që kanë vlerë nga ata që janë problem. Sepse problemin e zgjidhim vetëm po u bëmë bashkë me të mirët.
Problemi i disa partive të djathta është se nuk bëjnë dallim. Thonë: kemi probleme me imigrantët, prandaj nuk duam asnjë prej tyre. Kjo është gabim dhe duhet të rikalibrohemi. Sepse po t’u them edhe të mirëve se nuk i dua, ata do të bëhen bashkë me të këqijtë. Ajo që duhet të them është: nëse je imigrant i mirë, nëse je integruar, nëse krijon vlerë, nëse je thjesht njeri i mirë që përshtatet këtu, bëhemi bashkë kundër të tjerëve, sepse ata na dëmtojnë të dyve njësoj. Pra unë propozoj një strategji “përça e sundo”.
Në këtë kuptim, ajo që shohim sot në të djathtën evropiane është kjo lëvizja e remigrimit, që i dëmton dhe i kërcënon të gjithë imigrantët. Kjo nuk është strategjia më e mirë. Duhet të themi: kush është këtu dhe përshtatet, është partneri im kundër atyre që bëjnë probleme, që t’i nxjerrim jashtë.
Dhe mësimi tjetër për të ardhmen është: të pranojmë si imigrantë vetëm njerëz të zgjuar dhe me vlerë, jo këdo. Pra në imigracion duhet të jemi shumë egoistë, sepse duhet të pyesim nëse na sjellin dobi ata neve, jo nëse u sjellim dobi ne atyre.
Rexhaj: Sipas meje, e gjitha përmblidhet në një gjë të thjeshtë. Nëse ike nga Afganistani, ike sepse deshe të jetosh ndryshe. Dhe nëse vjen në Gjermani apo në Francë dhe do të jetosh këtu si në Afganistan, më mirë kthehu.
Krah: Absolutisht. Puna është se nga Afganistani ikën lehtë, por është shumë më e vështirë ta lësh në shtëpi Afganistanin që ke brenda vetes. Njerëzit duhet të mësojnë se kur ikin nga vendi i tyre nuk mund t’i marrin me vete të gjitha normat që mësuan atje, sepse atëherë ky vend kthehet në një Afganistan tjetër, në një Afrikë tjetër, në një vend tjetër. Por shumica nuk janë aq të zgjuar sa ta bëjnë këtë. Prandaj duhet t’i kthejmë mbrapsht.
Rexhaj: Cila është, pra, valuta politike e partisë suaj? Frika apo keni një vizion konkret? Dhe nëse po, cili është?
Krah: I kemi të dyja. Partia nisi duke thënë jo. Nisëm si lëvizje proteste. Së pari kundër borxhit gjithnjë e më të madh që merrej për të stabilizuar euron. Pastaj i thamë jo migrimit masiv. Pastaj u thamë jo masave të COVID-it, që na burgosën në shtëpitë tona. Pastaj i thamë jo luftës në Ukrainë. Pastaj i thamë jo deindustrializimit që buron nga vuduja klimatike. Kështu mblodhëm të gjithë ata që nuk besonin më çfarë na thoshin mediat shtetërore.
Dhe tani këtë protestë kundër narrativës zyrtare të politikës gjermane duhet ta kthejmë në një vizion pozitiv. Pra jemi në një proces shndërrimi: nga një grup njerëzish që e kuptuan se Gjermania po shkon në rrugën e gabuar, në një parti që prin në rrugën e duhur drejt së ardhmes. Jemi në mes të tij. Prandaj partia është shumë e gjallë, po ndryshon shumë. Mos harroni, sot jemi rreth 30 për qind në sondazhe, kur para pesë vjetësh ishim te 10 për qind. Gjithçka është e gjallë, gjithçka është e mundur.
Puna është se e dimë që ajo që shihni sot në politikën gjermane dhe evropiane nuk do të zgjasë. Pas pesë deri në dhjetë vjetësh do të ketë marrë fund. Na duhet një përgjigje. Dhe ka disa orientime, disa drejtime. Së pari, duhet të merremi me imigracionin. Duhet ta lëmë pas marrëzinë klimatike dhe deindustrializimin. Duhet të gjejmë zgjidhje për rënien demografike. Duhet të gjejmë zgjidhje për ndryshimet dramatike që do të sjellë inteligjenca artificiale. Dhe jetojmë në një rend botëror krejt tjetër, që nuk mbështetet më te sistemet ligjore multilaterale, por ku po kthehen diplomacia, lufta dhe forca.
Rexhaj: Sekularizmi është arritja më e madhe e shoqërisë evropiane, diçka që doli nga shekuj përvoje shoqërore. A do të mbetet Evropa sekulare, apo do të bjerë në duart e ideve fetare, nga kudo që të vijnë ato?
Krah: Tani për tani nuk shohim asnjë rikthim të fesë. Kur Papa vizitoi Francën, pamë miliona njerëz në rrugë, por dukeshin shumë paqësorë dhe shumë të lumtur. Puna është se na mungojnë fëmijët. Nuk bëjmë më fëmijë. Dhe e shihni vetë: sa më fetar të jesh, aq më shumë fëmijë ke.
Rexhaj: Ose, do të thoshin disa, sa më konservator të jesh.
Krah: Njësoj është. Pra brezi i ardhshëm ka shumë gjasa të jetë më konservator, dhe kjo do të thotë edhe pak më shpirtëror se sot. Për mua ky nuk është zhvillim i keq, sepse nisemi nga një nivel shumë i varfër, shumë i ulët. Natyrisht, ka frikë se do të shohim ndonjë lloj ekstremizmi. Ka tri mundësi. Mund të kesh ekstremizëm ungjillor, por këtë e shohim më shumë në Amerikë, në Veri e në Jug. Këtu nuk ka strukturë, nuk ka terren për të. Kisha Katolike është ende në një krizë të madhe, në krizë shpirtërore. Do të doja shumë ta shihja të rimëkëmbej pak, sepse në të kaluarën Kisha Katolike i ka stabilizuar gjithmonë shoqëritë, por nuk do të thosha se ekstremizmi po na troket në derë. Sa për islamin, një valë ekstremizmi e pamë rreth 20 vjet më parë. Ajo që shoh sot është se myslimanët e rinj i shohin mundësitë që kanë në vende si Emiratet, apo në Stamboll, shohin se rajonet me shumicë myslimane po zhvillohen dhe se njerëzit atje bëjnë jetë të denjë. Dhe më duket se edhe myslimanët e rinj kërkojnë jetë të mirë, përparim, pasuri.
Rexhaj: Dhe një shoqëri sekulare.
Krah: Një shoqëri sekulare. Ka disa rajone me ekstremistë, si Jemeni me Huthit, si Afganistani, disa pjesë të Pakistanit. Atje duhet të kemi kujdes. Por kur i shoh myslimanët e rinj sot në Turqi, në Emirate, në Iran, në Liban…
Rexhaj: Kanë të njëjtat ëndrra.
Krah: Me gjasë. Prandaj jam optimist për ta dhe mendoj se frikërat që kishim 20 vjet më parë nuk ekzistojnë më.
Rexhaj: Po të lexosh shtypin e majtë apo mediat kryesore, thonë se po erdhi partia juaj në pushtet, ose Le Pen në Francë, paqja në Evropë merr fund. Si u përgjigjeni?
Krah: Fundi i paqes në Evropë është që kemi një luftë në Ukrainë dhe japim para për ta zgjatur, në vend që të bëjmë paqe. Pra është e qartë se luftën e vazhdojnë elitat e sotme. Ne nuk jemi gati ta vazhdojmë luftën. Duam t’i japim fund luftës dhe vrasjeve atje. Paqja është pa dyshim një nga arsyet pse njerëzit na votojnë në Gjermani. Kush do paqe në Evropë, në Gjermani e ka partinë e duhur te ne.
Mua më shqetëson shumë më tepër që të rinjtë po u hapen sërish ideve fort të vjetruara të së majtës. E shohin, natyrisht, se për shkak të deindustrializimit e kanë të vështirë të bëhen të pasur e të kamur. Prandaj tani besojnë në idetë e majta, komuniste, për t’ua marrë paratë atyre që kanë pasur sukses dhe atyre që kanë pasuri. Duhet t’u themi se do të ndërtojmë një vend ku mund të bëhen të pasur e të kamur me punë të mirë, jo duke ua marrë paratë të tjerëve. Pra e majta gënjen për ne. Dhe këto gënjeshtra nuk i lënë njerëzit ta shohin rrezikun e skajshëm që e majta përbën për pasurinë e Evropës, sepse ajo do një lloj të ri komunizmi dhe socializmi. Ne, natyrisht, duhet të mbrojmë ekonominë e tregut dhe të bëjmë të mundur që ata që punojnë shumë, që kanë një ide të mirë dhe që rrezikojnë, të pasurohen e ta gëzojnë pasurinë e tyre.
Rexhaj: Dhe mesazhi për Ballkanin Perëndimor? A mund të jetë Ballkani Perëndimor partner i Evropës së re, çfarëdo forme që të marrë ajo?
Krah: Po, qartë. Sidomos në vizionin tim, sepse në vizionin tim Evropa nuk është më një punë që mbyllet mes Parisit, Brukselit dhe Berlinit. Boshti i ri në Evropë është mes Berlinit dhe Ankarasë, sepse Turqia, natyrisht, po ngrihet fuqishëm, e po ashtu Kaukazi dhe Azia Qendrore. Dhe vetë Evropa do ta ketë qendrën gjithnjë e më shumë në Evropën Qendrore, që është pa dyshim Gjermania me vendet përreth. Tani, po të hiqni një vijë nga Berlini në Turqi, cili rajon ndodhet mbi atë vijë? Ballkani Perëndimor. Pra, mirë se vini. Vizioni im do të thotë se Ballkani Perëndimor bëhet zemra e arkitekturës së re evropiane. Prandaj më interesojnë kaq shumë çështjet e Ballkanit, udhëtoj shumë dhe mezi pres ta vizitoj së shpejti Shqipërinë.
Pse kjo intervistë
Nëse Shqipëria nënshkruan një ditë traktatin e anëtarësimit, Bundestagu do të duhet ta votojë. Grupi i dytë më i madh në atë sallë është ai i AfD-së dhe Maximilian Krah është deputeti që kjo parti ka caktuar të ndjekë Shqipërinë. Vetëm kjo mjafton për ta pyetur se çfarë mendon.
Deri më sot rajoni e ka njohur këtë parti nga ato që thonë të tjerët për të. Fjala që u përdor në këtë intervistë ishte gogol. Lexuesit e Tirana Examiner janë njerëz të rritur. Mund ta dëgjojnë një politikan nga goja e tij dhe ta gjykojnë vetë.
Disa nga ato që tha do të mirëpriten në Tiranë. E quan Shqipërinë fituese dhe vend të besueshëm. Do marrëdhënie më të ngushta. Thotë se imigranti që është integruar dhe krijon vlerë është partner dhe se e djathta evropiane ka nevojë për rikalibrim në çështjen e remigrimit. Shqiptarët e shumtë që jetojnë e punojnë në Gjermani kanë arsye ta mbajnë mend këtë fjali.
Disa të tjera nuk do të mirëpriten. Thotë se Rusia nuk është kërcënim. Në Prishtinë, ku e shohin çfarë bën Moska në Beograd, atë rresht do ta lexojnë dy herë. Thotë se Bosnjë-Hercegovina nuk do të ekzistojë përgjithmonë. Sarajeva duhet ta dijë se kjo thuhet në Berlin, nga një anëtar i Komisionit të Bundestagut për Çështjet e BE-së.
Për këtë shërben një intervistë. Fjala e njeriut mbetet e shkruar. Nëse partia e tij i afrohet pushtetit, Shqipëria dhe fqinjët e saj do të kenë të bëjnë me të, duan s’duan. Më mirë ta dinë çfarë u ka thënë ajo vetë, sesa çfarë u kanë thënë të tjerët për të.
Tirana i ka varur të gjitha te një premtim të dhënë nga një brez politikanësh në Bruksel dhe në Berlin. Një vend i kujdesshëm mëson edhe se kush tjetër është në dhomë.