Rey Manaj duket se e ka të qartë se çfarë kërkon nga aventura e tij e ardhshme futbollistike.
Pas largimit nga Sivasspori, sulmuesi shqiptar ka përcaktuar edhe pretendimet financiare për klubin që dëshiron ta bëjë pjesë të projektit të tij.
Sipas gazetarit turk Fikret Gul, bomberi i Kombëtares shqiptare kërkon një kontratë dyvjeçare e gjysmë, me një vlerë totale prej 6.5 milionë eurosh. Këto janë kushtet që duhet të plotësojë çdo skuadër që dëshiron të sigurojë shërbimet e tij.
Manaj u nda nga Sivasspori pas problemeve me pagat, duke pretenduar se klubi turk nuk kishte përmbushur detyrimet financiare ndaj tij.
Ndërkohë, emri i sulmuesit lushnjar është përmendur së fundmi si një alternativë për Leçen në Serinë A, por deri tani nuk ka pasur zhvillime konkrete drejt një marrëveshjeje.
E ardhmja e Rey Manajt mbetet ende për t’u vendosur, ndërsa kërkesat e tij financiare pritet të jenë një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e destinacionit të ri.


