Pjesa e dytë e rubrikës “Trotuar” tek “E Diell” iu kushtua këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi.
Miqtë dhe kolegët e tij, Ergys Shahu, Ergito Dapa dhe Kelly (Florian Carkanji) ndanë kujtime nga koha e kaluar së bashku me artistin, duke rikthyer në vëmendje personalitetin, energjinë dhe kontributin e tij në muzikën shqiptare.
Gjatë bisedës, të ftuarit treguan se momentet e fundit me Shpatin i kishin kaluar gjatë muajit nëntor, pak kohë para ndarjes së tij nga jeta. Sipas tyre, këngëtari po përgatitej për projekte të reja muzikore dhe kishte një marrëdhënie shumë të afërt me miqtë e tij.
Intervista:
Nevina Shtylla: Disa artistë nuk largohen asnjëherë plotësisht dhe padiskutim edhe Shpat Kasapi është njëri prej atyre, sepse muzika e tij vazhdon të jetojë. Cili ka qenë ndoshta momenti i fundit që keni ndarë me Shpat Kasapin?
Ergys Shahu: Momenti i fundit ka qenë muaji nëntor, para se Shpati të ndërronte jetë. Ka qenë muaji që ne kemi ndenjur shumë bashkë, pasi Shpati po përgatiste këngë të reja, edhe një këngë që do ta publikojmë sot. Kemi pasur shumë afrimitet me Shpatin. Na ka lënë mbresa si njeri, djalë shumë pozitiv, artist shumë i mirë dhe kishte gjithmonë atë mirësinë.
Nevina Shtylla: Çfarë veçoni më shumë nga Shpati, energjinë e mirë, karakterin e tij, muzikën apo ndonjë bisedë që mund të keni bërë?
Ergito Dapa: Shpati, përtej të gjithave, ishte person që bënte shumë shaka, shumë i qeshur, pozitiv, siç e thatë edhe ju, shumë këngëtar i mirë. Kishte të gjitha virtytet që mund të ketë një artist sot.
Ervin Kurti : I merrte dhe gjërat me lehtësi. Edhe kur vonohej një tekst ose një këngë, ai thoshte se do ta rregullonim.
Ergito Dapa: Po… “Hajde Ergito, hajde grupi, se më mirë do të bëhet”.
Ergys Shahu: Nuk mbante kurrë inat, gjithmonë buzëqeshte dhe vërtet na ka lënë mbresa shumë të mira, si shok, si mik.
Nevina Shtylla: Publiku e ka dashuruar pa diskutim Shpat Kasapin që në daljet e tij të para. Përveç dashurisë së madhe që ka marrë nga publiku, ai ka qenë një natyrë shumë e thjeshtë.
Ervin Kurti: Patjetër! Dhe solli revolucion në muzikën shqiptare, sidomos në “Top Fest”, në pjesëmarrjet e tij, me atë look-un e tij, me pjesën e performancës. Shqiptarët u surprizuan dhe thanë: “Wow, erdhi një formë e re e prezantimit të këngës dhe muzikës”. Mori shumë fansa, pati shumë koncerte, shumë jehonë. U rrit dhe e donte shumë Shqipërinë, sepse platforma e “Top Fest” e afroi shumë me publikun, me adoleshentët e asaj kohe, të cilët një ditë u rritën dhe prapë e donin muzikën e tij.
Kënga e pa publikuar e Shpat Kasapit live në studion e “E diell”, tani pas ndarjes së tij nga jeta, me titull “Kur u ndamë”.
Ergys Shahu: Ka dhe një këngë tjetër me titull “Lamtumirë”. Edhe ajo sikur i ka ndjellë gjërat. Do të kontaktojmë me familjarët e Shpatit dhe ta publikojmë. Ndoshta do t’i bëjmë një videoklip me IA, ta rikthejmë Shpatin.
Top Channel