Zgjedhjet në Spanjë thyejnë rekordin historik të demokracisë: Pjesëmarrja arrin në 68.02% deri në orën 18:00

Zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë po regjistrojnë një nivel të paprecedentë mobilizimi qytetar, duke shënuar shifrën më të lartë të pjesëmarrjes në historinë moderne demokratike të vendit. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Brendshme Spanjolle, deri në orën 18:00 kishin ushtruar të drejtën e votës “68.02% të votuesve” (mbi 22.5 milionë qytetarë).
Kjo shifër përfaqëson një rritje prej “14.8 pikësh përqindjeje më të lartë se pjesëmarrja prej 53.13%” e regjistruar në të njëjtën fashë orari gjatë zgjedhjeve të mëparshme të mbajtura në korrik të vitit 2023. Të dhënat konfirmojnë prirjen e fortë të vërejtur që në mesditë, kur pjesëmarrja kishte arritur në 45.74%, duke mbetur në trend rritës dy orë para mbylljes zyrtare të qendrave të votimit në gadishull.
Tejkalohet rekordi historik i vitit 1996
Me këtë ritëm të lartë votimi, procesi i sotëm zgjedhor shënon “pjesëmarrjen më të lartë e regjistruar në Spanjë në shtatëmbëdhjetë zgjedhjet e përgjithshme që nga kthimi i demokracisë”.
Shifra e orës 18:00 ka thyer edhe “rekordin e mëparshëm prej 63.45% i mbajtur në vitin 1996”, kohë kur kandidati i Partisë Popullore (PP), José María Aznar, fitoi përballë Partisë Socialiste (PSOE). Sipas autoriteteve spanjolle, këto përditësime përfshijnë vetëm votimin fizik në kutitë e votimit, ndërsa votat e dërguara me postë do t’u shtohen rezultateve përfundimtare pas mbylljes së qendrave të votimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



