Është identifikuar shqiptari që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë italiane në Cavarzere, në provincën e Venecias. Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Silvester Cami.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, identifikimi i tij u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe të dhënave personale. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë njoftuar familjarët e viktimës në Shqipëri për ngjarjen.

Nga të dhënat e autoriteteve rezulton se Cami kishte precedentë penalë për vepra kundër pasurisë, kryesisht vjedhje, si dhe një sinjalizim për hyrje të parregullt në territorin italian.

Ndërkohë, policia vijon kërkimet për 37-vjeçarin shqiptar Ervis Murra, i cili arriti të largohej pas ndërhyrjes së forcave të rendit. Ai konsiderohet në kërkim për disa vepra penale dhe rezulton të ketë një dënim prej më shumë se 12 vitesh burg për të vuajtur në Itali.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e shkëmbimit të zjarrit, si dhe dinamikën e ngjarjes që përfundoi me vdekjen e 30-vjeçarit shqiptar.