E rënë në Itali, nëna tenton të vrasë vajzën, babai e gjen 8-vjeçaren pa ndjenja në banesë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Montemarciano të Italisë, ku një vajzë 8-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi dyshohet se nëna e saj tentoi ta vriste duke i shtrënguar qafën me një varëse gome.
Për ngjarjen është arrestuar nëna 39-vjeçare, e akuzuar për tentativë vrasjeje. E mitura ndodhet e shtruar në spitalin pediatrik Salesi në Ankona, në gjendje kritike dhe me prognozë të rezervuar. Mjekët po monitorojnë gjendjen e saj, ndërsa pritet të vlerësohen edhe pasojat e mundshme neurologjike nga mungesa e zgjatur e oksigjenit.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga karabinierët, gruaja dyshohet se i ka shtrënguar qafën vajzës me një varëse prej materiali gome, duke i shkaktuar vështirësi të rënda në frymëmarrje.
Ngjarja u zbulua të shtunën pasdite nga babai i vajzës. Ai kishte dalë nga banesa për të marrë makinën, pasi familja kishte planifikuar të kalonte mbrëmjen në kinema. Kur vuri re se bashkëshortja dhe vajza nuk po e ndiqnin, u kthye në shtëpi.
Aty gjeti të bijën të shtrirë në dysheme, me fytyrën e skuqur, ndërsa bashkëshorten në një cep të dhomës, në gjendje të rënduar.
Shërbimet e urgjencës 118 u dhanë ndihmën e parë të dyjave dhe më pas vajza u transportua me urgjencë në spital. Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, nëna dyshohet se ka pranuar pjesërisht veprimet e saj.
Pas hetimeve paraprake, 39-vjeçarja u arrestua dhe u transferua në sektorin e grave në burgun Villa Fastiggi, në Pesaro.
Hetimet, të koordinuara nga Prokuroria e Ankonës, vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, gruaja kishte kaluar një periudhë të vështirë familjare dhe së fundmi kishte lënë punën në një institucion bankar në zonën e Vallesinës.




