FOTOLAJM/ Protesta në ditën e Çlirimit, Tirana mes molotovëve, gazit lotsjellës dhe ujit me presion
Vëmendja e medias britanike të hënën do të jetë në Gjykatën e Magjistraturës së Norwich-it, në Anglinë Lindore, ku do të paraqiten përsëri dy shqiptarët Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci, nën akuzë për grabitjen e shtëpisë së Princit William, mbretit të ardhshëm.
Një tjetër ditë nga ku edhe njëherë tjetër fjala Albanian/Shqiptarët do të prodhojë tituj negativë gazetash, duke e dëmtuar imazhin e shqiptarëve të ndershëm që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe.
Disa ditë më parë, tabloidi The Sun publikoi fotot e Mirgen Dokut dhe Arilen Ndocit, që të dy nga Laçi, të cilët akuzohen për vjedhje dhe kalim të një zone të mbrojtur.
Top Channel mëson se dy të rinjtë shqiptarë do të paraqiten përsëri në Gjykatën e Magjistraturës së Norwich-it, në orën 10:00, në sallën e gjyqit numër 3, ku do të pyeten nga gjykatësi i çështjes nëse ata pranojnë akuzat e ngritura nga prokuroria.
Nëse Doku dhe Ndoci do të pranojnë akuzat, siç edhe pritet të ndodhë, atëherë vendimi i dënimit për ta do të jepet në javët në vazhdim.
Sipas ligjit anglez, për akuzën e grabitjes së një rezidence banimi, dënimi shkon deri në 14 vite burg.
E pikërisht për të shmangur këtë dënim të rëndë, Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci pritet të pranojnë akuzat e të përfitojnë një dënim më të lehtë.
Mediat angleze kanë raportuar se Doku dhe Ndoci kishin hyrë ilegalisht në Angli.
Arilen Ndoci, 32 vjeç, sipas The Sun, hyri në Angli njëherë me gomone dhe njëherë tjetër me avion.
Të dy të rinjtë nga Laçi, mbrëmjen e 23 nëntorit, duke përdorur një tub shkarkimi uji, hynë në katin e parë të Anmer Hall në Norfolk dhe akuzohen se kanë vjedhur 6 kapëse këmishësh dhe një orë në shtëpinë e mbretit të ardhshëm.
Kjo ngjarje u kthye në lajm botëror dhe, sipas ChatGPT-së, lajmi u publikua në 90 gjuhë të botës.
Top Channel