Byroja për Verifikimin e Pasurisë do ketë 60 punëtorë, pritet të funksionalizohet vitin tjetër

Funksionalizimi i plotë i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pritet të marr nga 6 muaj deri në 1 vit. Nga Ministria e Drejtësisë kanë folur për hapat që do zbatohen pas hyrjes në fuqi të ligjit, pas dekretimit nga presidentja.
I nisur në vitin 2026, Ligji për Byronë Shtetërore për procedurën e verifikimit dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme tashmë ka marr vulën e presidentes së Kosovës, që i hap rrugë hapave tutje për funksionalizimin e këtij mekanizmi.
Javën e ardhshme ky ligj hyn në fuqi për çka edhe nisin procedurat për krijimin e komisionit mbikqyrës që do kujdeset për të ndërmarr veprimet që parashihen me këtë ligj.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni në një intervistë për Dukagjinin ka thënë se janë 10 hapa që nisin së zbatuari me hyrjen në fuqi të ligjit.
“Si hap i parë është themelimi i komisionit mbikqyrës pastaj përzgjedhja e drejtorit pastaj është hartimi dhe miratimi i akteve nënligjore që derivojnë nga ligji janë katër akte nënligjore por po ashtu procedurat e pastaj të rekrutimit të punonjësve, planifikohet diku që byroja të ketë mbi apo 60 punonjës dhe deri tek funksionalizimi i plotë i byrosë”, ka deklaruar Genc Nimoni – Zv.ministër i Drejtësisë.
- YouTube www.youtube.com
Nimoni tek thotë se presin që ky mekanizëm të ndikojë në zbardhjen e rasteve të korrupsionit, tregon se kur mund të jetë i kompletuar dhe të nis verifikimin e pasurive që është në shpërputhje me të ardhurat.
“Nëse i marrim edhe afatet kohore dmth që parashihen me ligj, funksionalizimi i plotë i byros merr kohë 6 muaj deri në një vit maksimum... Kuvendi është përgjegjës që të fillojë procedurat për themelimin e komisionit. Do ketë 5 anëtarë 3 do përzgjedhen nga Kuvendi me procedurë të paraparë me ligj dhe 2 të tjerë janë automatikisht që është drejtori i Agjencisë Kundër korrupsionit dhe i NJFI-së”, ka theksuar Nimoni.
Ministria e Drejtësisë ishte sponzorisuese e këtij ligji i cili u shfuqizua dy herë nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të kontestimit të tij.
Byroja ka për qëllim të identifikoj, verifikoj dhe inicoj konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga zyrtarët publikë dhe palët e treta të ndërlidhura me ta, dhe përfshinë periudhen nga data 17 shkurt 2008 e tutje dhe deri në pesë vjet pas përfundimit të funksionit të një zyrtari publik./Tv Dukagjini



































