Aktualitet

Protesta në ditën e Çlirimit, Tirana mes molotovëve, gazit lotsjellës dhe ujit me presion

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Sheshi “Skënderbej” dhe disa prej rrugëve të kryeqytetit u përfshinë nga tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë gjatë protestës së 29 nëntorit.

Fotografitë e shkrepura gjatë ditës dhe në orët e mbrëmjes tregojnë momente të ndryshme të protestës, nga ndërhyrja e forcave të rendit me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, te hedhja e sendeve të forta dhe vendosja e pengesave në rrugë.

Mes flamujve kuqezi dhe dekorimeve të festave të fundvitit, në bulevardin kryesor të Tiranës shihen gurë të shkulur nga kalldrëmi, të shpërndarë përgjatë rrugës, dhe automjete të blinduara të policisë.

Në disa prej fotografive shihen protestues që largohen për t’iu shmangur ujit me presion, ndërsa efektivët e policisë, të pajisur me skafandra dhe mburoja, qëndrojnë të rreshtuar përgjatë bulevardit.

Fotografitë sjellin edhe momente kur protestuesve të lënduar u jepet ndihma e parë, ndërsa në sheshin “Skënderbej” një grua qëndron me flamurin kombëtar të shpalosur përballë kordonit të policisë.

Në fotografitë e shkrepura gjatë orëve të mbrëmjes, shihen protestues që krijojnë barrikada për të penguar lëvizjen e automjeteve ujëhedhëse të Policisë së Shtetit. Blloqe betoni, barriera metalike dhe kontejnerë mbeturinash janë zhvendosur në mes të rrugëve, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit vijojnë. Në një prej fotografive, një kontejner mbeturinash shihet i përfshirë nga flakët, ndërsa në sfond duken automjetet e policisë.

As në protestën e kësaj të diele nuk kanë munguar hedhja e molotovëve dhe vënia e zjarrit në kazanët e mbeturinave, disa prej të cilëve janë zhvendosur në mes të rrugëve të kryeqytetit për të krijuar barrikada.

Flamujt kombëtarë, dekorimet festive, retë e gazit lotsjellës dhe automjetet e policisë krijojnë një kontrast të fortë në fotografitë e kësaj dite, që përkon me festën e Çlirimit të Shqipërisë.