Policia italiane është në kërkim të një 37-vjeçari shqiptar, i cili arriti të arratisej pas një përplasjeje me armë dje në Venecia, ku mbeti i vrarë një bashkëkombës i tij.
Policia shkoi për të arrestuar shqiptarin, i cili ishte arratisur vitin e kaluar nga burgu.
Ky është Silvestre Cami, shqiptari që u vra të premten gjatë një përplasjeje me policinë italiane, në zonën rurale të Kaverzeres.
Sipas mediave italiane, ai kishte një precedent penal të mëparshëm për krime kundër pronës, veçanërisht vjedhje, si dhe një raport të mëparshëm për hyrje të paligjshme në Itali.
Policia ishte vënë në kërkim të tre personave, si pjesë e operacionit për ekzekutimin e dy urdhërarresteve. Efektivët rrethuan shtëpinë e izoluar ku fshiheshin të dyshuarit. Një person i tretë u arrestua, ndërsa një tjetër shqiptar arriti të arratisej, i armatosur, nëpër fushat e zonës.
37-vjeçari shqiptar ka një të shkuar të rëndë kriminale në Itali dhe Shqipëri, për grabitje me armë, vjedhje dhe zhvatje. Në shtetin fqinj, ai duhet të vuajë mbi 12 vite burg. Në vitin 2020, ai u arrestua në Dibër pas një urdhërkërkimi ndërkombëtar dhe u ekstradua në Itali. Më pas, i shpëtoi sërish policisë në Napoli, në qershor të vitit 2025.


