Partia Popullore (PP) dhe forca e ekstremit të djathtë Vox pritet të sigurojnë së bashku një shumicë të ngushtë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara këtë të diel në Spanjë, duke rrezikuar vazhdimësinë e qeverisjes socialiste të kryeministrit Pedro Sánchez.

Sipas projeksioneve të para të sondazhit të Sigma Dos për televizionin publik RTVE, Partia Popullore, e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, renditet e para me 32,2% të votave, që përkthehen në 129 deri në 134 mandate. Në bashkëpunim me Unionin e Popullit Navarrez, numri i deputetëve mund të arrijë në 136.

Ndërsa Vox, nën drejtimin e Santiago Abascal, parashikohet të marrë 16,2% të votave dhe të sigurojë nga 44 deri në 48 vende në Kongres.

Nëse këto projeksione konfirmohen, dy partitë e djathta mund të grumbullojnë 175 deri në 184 mandate në Parlamentin me 350 vende, duke iu afruar ose kaluar pragun prej 176 deputetësh që nevojiten për shumicën absolute.

Në krahun tjetër, Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE), e drejtuar nga Pedro Sánchez, parashikohet të marrë 28,8% të votave, duke siguruar nga 119 deri në 124 mandate. Në zgjedhjet e vitit 2023, socialistët kishin fituar 121 vende.

Ndërkohë, formacioni i majtë Frente Amplio pritet të sigurojë nga 10 deri në 11 mandate.

Procesi zgjedhor është shoqëruar me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve. Deri në orën 18:00, kishin votuar 68,1% e zgjedhësve, rreth 15 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023.

Sondazhi i publikuar nga RTVE është realizuar përmes 19.500 intervistave telefonike, gjatë periudhës 13-28 nëntor. Megjithatë, shifrat e bëra publike janë projeksione paraprake dhe jo rezultate përfundimtare zyrtare.