Dy shqiptarët e akuzuar për grabitjen në rezidencën e Princit William dhe Kate Middleton paraqiten të hënën në gjykatë

Dy shtetasit shqiptarë nga Laçi, Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci, do të paraqiten të hënën në Gjykatën e Magjistraturës në Norwich të Anglisë Lindore, lidhur me akuzat për grabitjen në rezidencën e Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton.
Doku dhe Ndoci akuzohen për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur, pas incidentit të ndodhur më 23 nëntor në rezidencën mbretërore Anmer Hall, në Norfolk.
Seanca gjyqësore është caktuar të mbahet në orën 10:00, ku dy të akuzuarit pritet të pyeten nga gjykatësi nëse i pranojnë apo i mohojnë akuzat e ngritura ndaj tyre nga prokuroria.
Sipas pretendimeve të autoriteteve, dy të rinjtë nga Laçi kanë hyrë në katin e parë të rezidencës duke përdorur një tub për shkarkimin e ujit.
Ata dyshohet se kanë marrë gjashtë kapëse këmishësh dhe një orë nga prona e çiftit mbretëror britanik.
Rasti ka tërhequr vëmendjen e mediave britanike, ndërsa sipas raportimeve, të dy shqiptarët dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe.
Sipas legjislacionit britanik, vjedhja me thyerje në një pronë banimi mund të dënohet deri në 14 vjet burgim.
Ndërkohë, nëse të akuzuarit vendosin t’i pranojnë akuzat, ata mund të përfitojnë ulje të dënimit, në përputhje me rregullat e sistemit të drejtësisë penale në Angli dhe Uells.
Seanca e së hënës pritet të sqarojë qëndrimin e dy të akuzuarve ndaj pretendimeve të prokurorisë dhe hapat e mëtejmë të procedurës gjyqësore.



































