Një punjonjës policie me skafandër në kokë drejtoi armën ndaj një grupi të vogël protestuesish përpara Kryeministrisë, qëlloi dhe u largua me vrap, i shoqëruar nga dy kolegë. Pak metra më tutje, një protestues u shemb përtokë, duke bërtitur nga dhimbjet.
Protestuesi i plagosur me një plumb gome në shpinë pasditen e së dielës ishte deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës, Kliti Hoti, i cili pasi mori ndihmën e parë nga disa vullnetarë, u transportua drejt spitalit.
Por ngjarja e ndodhur përballë kamerave të gazetarëve rindezi debatin mbi mjetet joproporcionale që po përdor Policia e Shtetit për të shtypur protestat anti-qeveritare.
Sipas legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, përdorimi i plumbave të gomës lejohet vetëm sipas protokolleve strikte të sigurisë nga forcat e trajnuara të rendit për kontrollin e turmave të dhunshme apo neutralizimin e personave të rrezikshëm. Manualet standarde ndërkombëtare theksojnë se nuk duhet të qëllohet kurrë nga afër dhe se shenjestra duhet të jetë vetëm pjesa e poshtme e trupit.
Deputeti Kliti Hoti është vetëm një nga shumë protestuesit e goditur me plumba gome gjatë protestave të dy ditëve të fundit në Tiranë, shumica e të cilëve të targetuar në pjesët e sipërme të trupit.
Për më tepër, ky reporter vëzhgoi se goditja e tij nga punonjësi i policisë ndodhi në një moment kur turma e protestuesve ishte spastruar nga sheshi përballë Kryeministrisë dhe ku vetëm një grup i pamaskuar prej 20 vetash po ndiqte me vrap një grup policësh gjatë tërheqjes së tyre taktike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e dënoi ngjarjen dhe pretendoi se deputeti Hoti u qëllua “me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama për t’u vrarë”.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo e quajti ngjarjen një rast të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës në mënyrë individuale nga një punonjës policie dhe kërkoi pezullimin e tij të menjëhershëm dhe hetim të plotë.
Policia e Shtetit njoftoi më vonë se punonjësi i policies me inicialet E.A ishte pezulluar nga detyra dhe kishte filluar hetimi disiplinor ndaj tij. Drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli deklaroi për mediat se “punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumb gome”.
Përplasjet e 29 Nëntorit
Protesta e njoftuar në ditën e Çlirimit filloi paqësisht, por situata precipitoi rreth orës 13:55 minuta, pasi një grup të miturish mes protestuesve sulmuan me gurë dhe fishekzjarre efektivitët e policisë që po qëndronin para hyrjes kryesore të kryeministrisë.
Policia u kundërpërgjigj me një mësymje të organizuar, duke përdorur spraj, gaz lotsjellës, ujë me presion e deri tek plumbat e gomës. Gjatë gjithë kohës, marshimi i protestuesve dhe përleshja u monitorua me një dron nga ajri.
Protesta kombëtare në Ditën e Çlirimit nuk i kishte përmasat e asaj të një dite më parë. Rreth orës 10:00 filluan të mblidheshin dhjetra qytetarë në sheshin Skënderbej, mes tyre edhe të rinj e të moshuar të ardhur nga emigracioni. Deri në mesditë, sheshi filloi të mbushej me protestues, shumë prej të cilëve mbanin në duar flamurin kombëtar dhe bënë thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Rreth orës 13:00 protestuesit nisën marshimin përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit drejt kryeministrisë. Ata u grumbulluan aty paqësisht, por paqja nuk zgjati shumë.
Pasi u sulmuan me një breshëri fishekzjarresh, policët u shfaqën nga të katër anët, duke i rrethuar protestuesit. Fillimisht u përdor spraj ndaj disa prej protestuesve, ndërsa të tjerë u ndaluan dhunshëm. Njëri prej të ndaluarve kishte plagë në kokë si pasojë e përplasjes dhe e zvarritjes në trotuar.
Më vonë u fut në lojë gazi lotsjellës dhe uji me presion. Policia ndoqi këmba-këmbës disa prej protestuesve dhe i shoqëroi, ndërsa të tjerët i detyroi të shpërndaheshin në zona të ndryshme. Gjysma e protestuesve u shtynë në pjesën e bulevardit përballë godinës së Hotel Rognder, ndërsa gjysma tjetër përtej urës së madhe mbi Lanën.
Skena e “betejës” mes policisë dhe protestuesve ndiqej nga dhjetëra qytetarë që qëndronin në pjesën e sipërme të godinës së Piramidës.
Përleshjet mes protestuesve dhe policisë vijuan deri në orët e mbrëmjes në zona të tjera të kryeqytetit të kthyera në fushë-betejë. Pas largimit të protestuesve nga bulevardi drejt rrugëve dytësore, këta të fundit dogjën disa kosha plehrash.
Rreth orës 17:00, protestuesit u riorganizuan sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe krijuan pengesa për automjetet e policisë. Protesta vijoi edhe në rrugët e tjera pranë qendrës së kryeqytetit, kur rreth orës 17:40, policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve që gjendeshin në rrugën “Myslym Shyri” dhe shoqëroi disa prej tyre. (BIRN)













