Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë festuar 114-vjetorin e Pavarësisë me aktivitete festive dhe ceremoni solemne, duke valëvitur flamurin kuqezi në disa qytete amerikane.
Një prej ceremonive kryesore u zhvillua në qendër të Bostonit, pranë Bashkisë së qytetit, ku dhjetëra shqiptarë u mblodhën për të nderuar historinë dhe identitetin kombëtar.
Aktiviteti nisi me interpretimin e himneve kombëtare të Shqipërisë dhe SHBA-së, ndërsa atmosferën festive e shoqëruan performancat artistike të Ansamblit Amantia, Vendim Kapajt dhe mjeshtrit të polifonisë, Nazif Çelës.
Një nga organizatorët e aktivitetit, Mentor Maksutaj, president i Federatës Pan-Shqiptare Vatra Boston, vuri theksin te rëndësia e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare, si dhe te bashkimi i komunitetit në diasporë.
Ceremonisë i dhanë ngjyra të veçanta edhe veshjet tradicionale shqiptare, të prezantuara nga grupi Tradita Popullore.
Festimet u shtrinë edhe në Waterbury të Connecticut, ku flamuri shqiptar u ngrit në kuadër të një tradite që vijon prej vitit 1980. Këtë vit, Gëzim Kulla u nderua me titullin simbolik të kryebashkiakut për një ditë, në shenjë vlerësimi për komunitetin shqiptar dhe kontributin e tij në qytet.
Aktivitetet për 28 Nëntorin vijuan edhe në zona të tjera të Bostonit, me organizimin e komuniteteve shqiptare, duke dëshmuar lidhjen e fortë të diasporës me atdheun dhe traditat kombëtare.
