Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas plagosjes së deputetit demokrat Kliti Hoti, i cili u qëllua me plumb gome nga Policia gjatë protestës së sotme në Tiranë. Në reagimin e tij publik, Peleshi e ka cilësuar ngjarjen si një “incident”, duke shprehur keqardhje dhe shqetësim për atë që i ndodhi deputetit.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i Kuvendit i ka uruar Hotit shërim të shpejtë dhe ka kërkuar nga organet kompetente një hetim të paanshëm dhe transparent për rrethanat e ngjarjes.
Peleshi ka kërkuar gjithashtu që hetimi të përfshijë çdo person tjetër të lënduar gjatë protestës, duke theksuar se në rast të konstatimit të shkeljeve, përgjegjësit duhet të përballen me ligjin, pavarësisht pozicionit që mbajnë.
“Me keqardhje dhe shqetësim mësova për lëndimin e deputetit Kliti Hoti gjatë protestës së sotme në Tiranë. I uroj shërim të shpejtë dhe i shpreh solidaritetin tim të plotë, atij dhe familjes së tij.
Kërkoj nga organet kompetente, një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për rrethanat e këtij incidenti dhe të çdo lëndimi tjetër të sotëm. Nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia duhet vendosur sipas ligjit, kushdo qoftë ai që i ka kryer.
E drejta e protestës paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe duhet respektuar. Po ashtu, asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet”,shkruan Peleshi në një postim në Facebook.













