Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi të dielën se ka ndërmarrë një përgjigje ushtarake kundër milicisë Houthi – e cila mbështetet nga Irani – duke goditur objektiva të lidhura me këtë grup në portin jemenas të Ras Isa-së.

Koalicioni “ndërmori një përgjigje ushtarake ndaj përpjekjeve të milicisë terroriste Houthi për të vënë në shënjestër civilë dhe objekte civile”, deklaroi zëdhënësi Turki al-Malki në platformën X.


Al-Malki theksoi se “janë shkatërruar pesë objektiva të lidhura me kapacitetet operacionale dhe burimet jetike të milicisë terroriste Houthi në portin e Ras Isa-së”.

Ai shtoi gjithashtu se forcat e koalicionit kanë goditur 19 objektiva që lidhen me operacionet e milicisë Houthi me raketa dhe dronë.

Veç kësaj, sistemet e mbrojtjes ajrore të koalicionit kapën dhe shkatërruan tri raketa lundruese të lëshuara nga Houthi-t drejt rajonit perëndimor, theksoi Al-Malki, duke shtuar se koalicioni shkatërroi edhe një dron Houthi, i cili ishte lëshuar gjithashtu drejt rajonit perëndimor. /Telegrafi/