Mësimdhënësit e shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë bojkotuan për një javë aktivitetet e mësimit tërëditor, për shkak të pagesave të parregullta për angazhimin shtesë. Pas premtimeve nga Drejtoria e Arsimit, ata u pajtuan që aktivitetet të rifillojnë.

Ka tri vite prej kur ky institucion ka filluar të implementojë mësimin tërëditor.


Por gjatë gjithë javës së kaluar, mësimdhënësit e shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, zgjodhën të bojkotojnë pjesën e aktiviteteve në kuadër të kësaj forme të mësimit.

Arsyet lidhen me kompensimet monetare që mësimdhënësve nuk po iu dalin muaj për muaj.

“Kemi pas vështirësi jo vetëm këtë vit, por që 3 vite që jemi angazhu si shkollë, pasi pagesat nuk janë bë çdo muaj, për shkak problemeve financiare që i kanë komunat, pastaj këto mjete mbledhen për disa muaj, dhe mësueset kanë pas ankesat e tyre, pasi këto mjete kur po grumbullohen, pastaj po tatohet, pasi nuk është as vlerë e madhe, dhe po u mbetet shumë pak”, ka deklaruar Ardianë Makolli-Sadiku, Drejtoreshë në shkollën “Nazim Gafurri”.

Nga 25 nëntori, mësimdhënëset u pajtuan më mirëkuptim të rifillojnë mbajtjen e aktiviteteve pas mësimit, pas një premtimi nga drejtoria e Arsimit në Prishtinë.

“Janë dakordu mësueset në shenjë respekti për punën që e kemi bërë deri tash, dhe për nxënësit, janë dakordu që nga janari mos ti kemi këto vështirësi, dhe të ekziston mundësia që pagesat të bëhen në shtrirje më të gjatë”, ka theksuar Makolli-Sadiku.

Derisa, vetë drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, thotë se problemi me menaxhimin e buxhetit po vie si pasojë e nivelit qendror.

“Problemi është çështje e menaxhimi të financave dhe mungesa e mbështetjes qeveritare për kompontentin e mësimit tërëditor, pa u zhvillu politika qeveritare në këtë aspekt, për të mbulu financiarisht, për neve ka me qenë gjithë kohës sfiduese kjo”, ka theksuar Arianit Elshani, Drejtor i Arsimit në Prishtinë.

Problemi me pagesën e orëve shtesë ka prekur edhe mësimdhënës të tjerë në komunën e Prishtinës, mirëpo pas takimeve të zhvilluara në DKA, është arritur marrëveshje që mësimi tërë-ditor të vazhdojë./Tv Dukagjini

- YouTube youtu.be