Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka reaguar ndaj qëndrimit të kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, lidhur me plagosjen e deputetit demokrat Kliti Hoti. Bardhi e akuzon Peleshin se po e minimizon ngjarjen dhe po shmang përgjegjësinë që u takon institucioneve.
“Neveri dhe indinjatë për reagimin e papërgjegjshëm të Kryetarit të Kuvendit ndaj plagosjes së deputetit Kliti Hoti nga Policia e Shtetit!”, është shprehur Bardhi.
Të lidhura
None found
Sipas kreut të deputetëve demokratë, ajo që ka ndodhur nuk mund të përkufizohet si një “incident”. Ai pretendon se deputeti i PD-së është goditur nga Policia e Shtetit pa asnjë shkak, në rrethana që, sipas tij, krijojnë dyshime të forta për një akt të qëllimshëm dhune.
“Deputeti Kliti Hoti nuk ka qenë pjesë e ndonjë incidenti. Ai është goditur pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit, në rrethana që ngrenë dyshime serioze për një akt të qëllimshëm dhune, me pasoja potencialisht fatale. Ta quash këtë një incident është përpjekje për të relativizuar rëndësinë e ngjarjes dhe për të shmangur përgjegjësinë. Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme dhe nuk mund të trajtohet si e tillë”, deklaron Bardhi.
Bardhi e ka kritikuar më tej Peleshin se, në vend që të kërkonte transparencë dhe përgjegjësi për veprimet e Policisë së Shtetit, ka vënë në pikëpyetje vetë shkeljen e ligjit.
“Ligji nuk është çështje dëshire. Përballë dhunës policore, detyrimi i çdo institucioni është të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë”, thekson ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ka deklaruar se Kuvendi nuk duhet të kthehet në një mburojë për justifikimin e dhunës shtetërore. Ai e cilëson të papranueshëm relativizimin e ngjarjes, heshtjen dhe shmangien e përgjegjësisë institucionale.
“Përgjegjësia nuk relativizohet. Dhe dhuna e ushtruar nga shteti nuk mund të maskohet pas fjalës ‘incident’”, përfundon Bardhi.
Reagimi i Bardhit erdhi pasi Niko Peleshi foli më herët për plagosjen e Kliti Hotit gjatë protestës së kësaj të diele në Tiranë. Kryetari i Kuvendit i shprehu solidaritet deputetit dhe i uroi shërim të shpejtë, ndërsa ngjarjen e cilësoi si një “incident”. Peleshi kërkoi gjithashtu që organet kompetente të hetojnë rrethanat dhe të përcaktojnë përgjegjësitë, nëse konstatohen shkelje të ligjit.
“Kërkoj nga organet kompetente, një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për rrethanat e këtij incidenti dhe të çdo lëndimi tjetër të sotëm. Nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia duhet vendosur sipas ligjit, kushdo qoftë ai që i ka kryer”, deklaroi Peleshi.
Ai nënvizoi se Kushtetuta garanton të drejtën për protestë paqësore dhe se kjo e drejtë duhet respektuar. Sipas kryetarit të Kuvendit, asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet.






