Kalo te përmbajtja
factcheck.al
Pa na besuar

Si verifikohet

Çdo pretendim që bëjmë për një lajm — kur e pamë, si dukej, çfarë thoshte — mund ta kontrolloni vetë, me veglat tuaja, pa asnjë hap që kalon nga serveri ynë. Nëse ndonjë hap më poshtë nuk del, atëherë «i verifikueshëm» është fjalë e zbrazët dhe duam ta dimë.

Hyrje në bllok
51409
koha e provuar nga jashtë
Në pritje të bllokut
74921
në një ankorë të dërguar, pa bllok ende
Ende pa ankorë
126
as në një pemë Merkle të dërguar
Dëshmi të prodhuara
44834
24889 pamje
Hapi një

Merrni artefaktin dhe llogaritni hash-in

Çdo faqe artikulli ofron tri shkarkime: HTML-në origjinale, pamjen WebP, dhe dëshminë PDF. Merrni cilindo dhe llogariteni vetë:

curl -sO https://factcheck.al/deshmi/A-392911.html
sha256sum A-392911.html

Krahasojeni me hash-in që jep API-ja te /v1/articles/A-392911/proofs. Nëse përputhen, skedari që keni në dorë është saktësisht ai që ne ruajtëm.

Hapi dy

Rillogarisni rrënjën Merkle

Hash-i i një kapjeje nuk qëndron vetëm: hyn si gjethe në një pemë, dhe rrënja e asaj peme është ajo që vuloset. Faqja /prova/{hash} ju jep shtegun nga gjethja te rrënja. Për çdo hap:

h = sha256(h ‖ motra)   kur ana është R
h = sha256(motra ‖ h)   kur ana është L

Rezultati duhet të jetë rrënja. Gjethja e teke në një nivel dyfishohet me vetveten — ky detaj duhet ditur, ndryshe llogaritja nuk del.

Hapi tre

Gjeni rrënjën te regjistri i jashtëm

Rrënja dërgohet te STAMLES dhe shkruhet në Polygon PoS. Kërkojeni atje, jo te ne:

https://scan.stamles.eu/verify/<rrënja>

Faqja kthen njërën nga tri përgjigje: nuk u gjet — asnjë nga hash-et tona nuk është ai; në radhë — pranuar, pret bllokun; e konfirmuar — me numrin e bllokut, rrënjën Merkle, transaksionin në Polygon dhe arkivin në IPFS.

Nëse rrënja gjendet aty me një numër blloku, atëherë ajo ekzistonte para se ai bllok të shkruhej. Meqë gjethja juaj e prodhon atë rrënjë, edhe kapja juaj ekzistonte para asaj ore — dhe ne nuk mund ta kishim ndryshuar pas saj.

I njëjti formular pranon edhe hash-in e një hyrjeje të vetme — atë që shtypet te dëshmia si «kjo hyrje». Vulosim të dyja: rrënjën, që mbulon një dritare të tërë, dhe secilën hyrje veç, që verifikimi juaj të mos ketë nevojë as për shtegun tonë Merkle.

Deri më 8 shtator 2026 këtu shkruhej një adresë tjetër, e cila nuk kthente asgjë. Ishte gabimi ynë, dhe është shënuar hapur te kodi: një adresë verifikimi që nuk provohet nuk është më e mirë se asnjë.

Dallimi që nuk duhet shpërfillur

Një ankorë e dërguar nuk është e vulosur. STAMLES i grumbullon vulat dhe i shkruan me grupe; deri te blloku, prova mban integritetin por jo kohën. Faqja e provës e thotë me këto fjalë, dhe API-ja e kthen si "proves_time": false.

Aktualisht 74921 hyrje janë në atë gjendje: brenda një ankore të dërguar, pa bllok ende. Dhe 126 të tjera nuk janë ende as në një pemë Merkle të dërguar.

Numri i dytë u shtua më 8 shtator 2026, sepse pa të i pari gënjente në drejtimin më të keq: nëse ankorimi ndalet fare, ai shkon drejt zeros — dhe zeroja do të lexohej si qetësi pikërisht kur asgjë nuk po vuloset.

Ose shkurtimisht

Skanoni kodin te dëshmia

Çdo dëshmi PDF mban një DataMatrix. Skanimi ju çon drejt te regjistri i jashtëm, me hash-in e asaj kapjeje. Nuk kalon nga ne, dhe nuk ka nevojë të llogarisni asgjë.

Kodi nuk mban hash-in e vetë PDF-së — kjo do të ishte e pamundur, sepse hash-i ndryshon sapo kodi hyn brenda. Mban hash-in e hyrjes së zinxhirit, e cila lidh përmbajtjen me orën, adresën, dhe hyrjen e mëparshme.

Për makinat

API-ja

/v1/articles/{id}/proofs hash-et e të tria artefakteve, me adresat e shkarkimit
/v1/proofs/{entry_hash} shtegu Merkle, ankora, dhe vula e asaj hyrjeje
/v1/anchors të gjitha ankorat, me sa hyrje mbulon secila

Ankorat publike · Dokumentacioni